Aeroporti luan me aviokompanitë gjermane

Prishtinë. Udhëtarët e njërës nga aviokompanitë më të mëdha gjermane, “Air Berlin”, kanë pritur me orë të tëra të dielën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), duke mos u lejuar të shkojnë në destinacionin e fundit, përkatësisht në Dyseldorf të Gjermanisë.

Fluturimi i “Air Berlin” nga Prishtina për në Dyseldorf zakonisht bëhej në ora 09:00 të mëngjesit, me ç’rast rreth 200 udhëtarë të kësaj kompanie kishin arritur dy orë më herët në Aeroport. Mirëpo, drejtuesit e këtij të fundit në asnjë mënyrë nuk e kishin lejuar aeroplanin të fluturojë para orës 11:00, pavarësisht se nuk kishin të rezervuar ndonjë fluturim tjetër.

Përfaqësuesit e kompanisë gjermane “Air Berlin” ankohen se drejtuesit e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës po i maltretojnë pasagjerët e tyre.

“Drejtuesit e Aeroportit po i maltretojnë pasagjerët e kompanive gjermane. Ajo që ka ndodhur të dielën me kompaninë “Air Berlin”, ditë më parë ka ndodhur edhe me pasagjerët e kompanisë “German Wings”, bën të ditur Remzi Ejupi, drejtor i agjencisë turistike “Eurokoha”, e cila është përfaqësuese e kompanisë gjermane “Air Berlin” në Kosovë.

Ejupi pohon se zyra e koordinatorit të sloteve pranë ANP-së po manipulon me oraret e fluturimeve të aviokompanive dhe si pasojë e kësaj pasagjerët po detyrohen të presin me orë të tëra në terminal.

Sipas tij, Komisioni Evropian(KE) qe dy vjet rresht kërkon nga Zyra e Aviacionit Civil të Kosovës dhe Ministria e Transportit që të mos ketë koordinator të sloteve pranë ANP-së, por të formohet një komitet i sloteve, i cili do të përbëhej nga përfaqësuesit e aviokompanive, mirëpo zyrtarët kosovarë si duket nuk e “çajnë kokën” në lidhje me një kërkesë të tillë të KE-së.

“Komiteti i sloteve do të ishte një organ i pavarur dhe nuk do të varej nga një person, ashtu siç ndodh aktualisht”, potencon Ejupi.

Ai paralajmëron se aviokompanitë gjermane për maltretimet e tilla të pasagjerëve do t’i drejtohen me ankesë edhe Ambasadës Gjermane në Kosovës, Zyrës së Aviacionit Civil, Ministrisë së Transportit dhe institucioneve tjera relevante në vend.

Në anën tjetër, zyrtarët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje. Zëdhënësi i kësaj kompanie publike, Altin Ahmeti, pasi që është konsultuar me drejtorin Agron Mustafa, ka thënë se drejtori nuk dëshiron të përgjigjet në pyetjet e gazetës, por çuditërisht ka rekomanduar që për këtë çështje të kontaktohet drejtori i agjencisë “Eurokoha”, Remzi Ejupi.

Incoming search terms: