Kosova vazhdon betejën me Maqedoninë rreth aviobiletave

Derisa Kosova vazhdon të presë një përgjigje nga Komisioni Evropian rreth kërkesës për të hetuar ligjshmërinë e subvencioneve për kompanitë ajrore nga ana e Maqedonisë, Aeroporti i Prishtinës ende po bën përpjekje të tejkalojë dëmin e pësuar nga shteti fqinj.

Në vitin 2014, kur Aeroporti i Prishtinës kishte shërbyer për rreth 220 mijë udhëtarë më pak se një vit më herët, Maqedonia njoftonte se Aeroporti i Shkupit kishte thyer rekordin e udhëtarëve.

Kjo kishte nxitur Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës që të bëjë një kërkesë në Komisionin Evropian për të vërtetuar ligjshmërinë e subvencioneve që bënte Qeveria e Maqedonisë ndaj kompanive ajrore të cilat kishin arritur t’i merrnin një pjesë të udhëtareve të Aeroportit të Prishtinës.

Atë kohë, ky autoritet insistonte se Maqedonia kishte bërë shkelje të konkurrencës së drejtë me këtë veprim.

Dhe derisa një përgjigje zyrtare po vonon, Aeroporti i Prishtinës po vazhdon përpjekjet që të minimizojë dhe të tejkalojë dëmet që u bënë nga shteti fqinj.

Dritan Gjonbalaj, kryeshef i këtij autoriteti, thotë se vitin e kaluar Aeroporti i Prishtinës ka zbatuar një program të ligjshëm të nxitjeve për kompanitë ajrore që për pasojë ka rritur trafikun në këtë aeroport.

Ai po ashtu shpreson se pretendimet e palës Kosovare do të vërtetohen edhe nga BE-ja e cila do të kërkojë nga Maqedonia që të ndalojë këtë praktikë.

“Mund t’ju konfirmoj se vlerësimet preliminare të Komisionit janë në të njëjtën linjë me vlerësimet tona për këtë rast. Kjo dëshmohet edhe me Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë 2015 (ish-Raporti i Progresit), në të cilin shprehet shqetësim për nxitjet financiare që Qeveria e Maqedonisë ua jep kompanive ajrore në Aeroportin e Shkupit”, ka thënë Gjonbalaj, për portalin Insajderi.

“Ne do të vazhdojmë të insistojmë që Komisioni Evropian t’i përdorë mekanizmat e vet për të garantuar konkurrencë të drejtë midis aeroporteve në rajon”, ka shtuar Gjonbalaj.

Në vitin 2013, Maqedonia kishte vendosur që të subvencionojë kompanitë ajrore që do të jenë të gatshme të shtojnë linjat e fluturimit nga Aeroporti i Shkupit. Këto kompani kanë marrë deri në 40 mijë euro për çdo destinacion të ri, ndërsa qeveria maqedonase ka paguar po ashtu shtatë deri në nëntë euro për çdo tiketë të blerë në këto fluturime.

Për më tepër, në tetor të vitit 2014, menjëherë pas ankesës së Kosovës, Maqedonia kishte thënë se në të ardhmen do të subvencionojë deri në 65 euro turistët që vijnë nga Gjermania, Amerika, Britania e Madhe, Kazakistani dhe Azerbajxhani.

Dëmet e një politike të tillë të ndjekur nga Maqedonia ishin ndjerë sidomos në vitin 2014. Derisa në vitin 2013 numri i udhëtareve që u shërbyen në Aeroportin e Prishtinës ishte 1,628,678, ky numër ishte për 14 për qind më i vogël, apo 1,404,775 udhëtare.

“Vlerësojmë se kjo rënie e numrit të udhëtarëve në vitin 2014, përveç tjerash, ka qenë e ndikuar seriozisht edhe nga subvencionet financiare të Qeverisë së Maqedonisë për kompanitë ajrore që fluturojnë në Shkup”, ka thënë Gjonbalaj.

Por, me gjithë sfidën e vështirë që vije nga Maqedonia, ai shpreson se numri i trafikut në Aeroportin Ndërkombëtar Adem Jashari do të vazhdojë të rritet.

“Jemi të bindur se Aeroporti i Prishtinës, me shërbime cilësore dhe programe të ligjshme të nxitjes, do ta vazhdojë rritjen e trafikut, duke iu ofruar udhëtarëve tanë mundësi për fluturime në destinacione të reja, me çmime më të lira” ka thënë ai.

“Gjithashtu, kemi pritje të arsyeshme se me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës do të ketë rritje edhe më të madhe të numri të udhëtarëve në Prishtinë”.

Derisa Kosova dhe Maqedonia kanë probleme sa i përket transportit ajror, një gjë e tillë nuk vlen për atë rrugor. Kosova ka filluar ndërtimin e autostradës në drejtim të Hanit të Elezit që pritet të kushtojë rreth 600 milionë euro, transmeton Telegrafi.

“Belle Air” të sqaroj vonesat e pasagjerëve

Drejtues të Departamentit të Aviacionit Civil të Kosovës kanë kërkuar sqarime nga zyrtarë të aviokompanisë “Belle Air” me seli në Itali, për operimeve në sezonin veror, si dhe vonesave të disa pasagjerëve të evidencuara gjatë ditëve të fundit. Njëkohësisht për këtë i janë drejtuar edhe Autoritetit civil të shtetit italian. Por ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Problemet me të cilat janë përballur ditëve të fundit dhjetëra pasagjerë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i kanë nxitur autoritetet në Kosovë të kërkojnë sqarime nga zyrtarë të aviokompanive përgjegjëse.

Udhëheqësi i Departamentit të Aviacionit Civil, në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, Ismail Berisha, tha për Radio Kosovën se fillimisht kanë kontaktuar me zyrtarë të kompanisë “Belle Air” në Prishtinë, nga e cila kanë kërkuar një raport përmbledhës të operimeve në sezonin veror, si dhe të gjitha listat e pasagjerëve që nuk kanë mundur t’i realizojnë udhëtimet e tyre të planifikuara. Por nga ata nuk kanë marrë përgjigje, ndaj kanë marrë edhe veprime tjera.belle-air-europe-airkosova

“Iu kemi drejtuar bazës së aviokompanisë ‘Belle Air Europe’ në Itali, dhe i kemi dërguar shkresë edhe autoritetit të Aviacionit Civil në Itali, të cilët janë përgjegjës për rregullsitë e veprimeve të aviokompanisë e cila licencohet nga ai shtet”, theksoi ai.

Berisha tha se përveç pasagjerëve që kanë udhëtuar në vendet e Evropës, probleme kanë pasur edhe pasagjerët që kanë udhëtuar drejt Zvicrës. Në këtë rast sipas tij, i janë drejtuar kompanisë “Darvin”, e cila i ka huazuar avionët nga kompania Belle Air, si dhe autoritetit të Aviacionit Civil Zviceran.

“Deri tani nuk kemi asnjë përgjigje, pasi koha është e shkurtër bëhet fjalë për një ditë, dy, dhe jemi në pritje”, theksoi ai. Continue reading “Belle Air” të sqaroj vonesat e pasagjerëve

Aeroporti i Gjakovës në fund të këtij viti do të kthehet nën menaxhimin e institucioneve të Kosoves

Aeroporti i Gjakovës në fund të këtij viti do të kthehet nën menaxhimin e institucioneve të vendit, sa i përket hapësirës së larët ajrore të Kosovës, ajo pritet që të hapet brenda këtij viti, ku për një fluturim aeroplan duhet paguar nga 100 euro.

Këto kanë qenë vetëm disa nga lajmet që i ka dhënë drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Dritan Gjonbalaj gjatë raportimit të tij në Komisionin për Zhvillim Ekonomik. “Mund të bëjmë një kalkulim të përafërt ku duke u bazuar në madhësinë e hapësirës ajrore të Kosovës mbikalimi i një avioni do të kushtojë diku rreth 100 euro, por jo të gjitha këto të hyra do t’i shkojnë Republikës së Kosovës sepse shërbimi do të ofrohet nga Hungaria nga Budapesti, por brenda kësaj pakoje të shërbimeve një numër do t’i ofrojë edhe ofruesi i shërbimeve të aviacionit ajror të Kosovës”, tha i.

Me shumë siguri ka thënë se Aeroporti i Gjakovës në fund të këtij viti i kalon institucioneve të vendit, ngase italianët do ta braktisin atë për shkaka se kostoja nuk e arsyeton qëllimin. “Deri në fund të këtij vitit Qeveria Italiane do të largohet nga aeroporti i Gjakovës, kostoja e operimeve të këtij aeroporti, sipas tyre, nuk e arsyeton qëllimin. Ata janë shumë të interesuar që aeroporti në gjendje shumë të mirë t’i dorëzohet Republikës së Kosovës. Presim një plan konkret për marrjen e përgjegjësive. Qeveria ka marr një vendim që të themelojë një grup nga autoritetet përgjegjëse të vendit, i cili do të punoi ngushtë më palën italiane në marrjen e përgjegjësive”, theksoi ai.

Për modelin se si do të përdoret ky aeroport ka mbetur të punohet, derisa Gjonbalaj ka thënë se janë të gatshëm për cilëndo ide të dhënë ta qojnë përpara.

Sa i përket mallrave të rrezikshme, Gjonbalaj, ka pohuar se japin leje për transportimin e mallrave të rrezikshme që kryesisht tek ne janë armë apo municion për entitetet juridike të licencuara nga autoritetet e vendit. Tek këto mallra të rrezikshme hyjnë edhe mallrat radioaktive për mjekësi, apo edhe bateri.

Aeroporti luan me aviokompanitë gjermane

Prishtinë. Udhëtarët e njërës nga aviokompanitë më të mëdha gjermane, “Air Berlin”, kanë pritur me orë të tëra të dielën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), duke mos u lejuar të shkojnë në destinacionin e fundit, përkatësisht në Dyseldorf të Gjermanisë.

Fluturimi i “Air Berlin” nga Prishtina për në Dyseldorf zakonisht bëhej në ora 09:00 të mëngjesit, me ç’rast rreth 200 udhëtarë të kësaj kompanie kishin arritur dy orë më herët në Aeroport. Mirëpo, drejtuesit e këtij të fundit në asnjë mënyrë nuk e kishin lejuar aeroplanin të fluturojë para orës 11:00, pavarësisht se nuk kishin të rezervuar ndonjë fluturim tjetër.

Përfaqësuesit e kompanisë gjermane “Air Berlin” ankohen se drejtuesit e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës po i maltretojnë pasagjerët e tyre.

“Drejtuesit e Aeroportit po i maltretojnë pasagjerët e kompanive gjermane. Ajo që ka ndodhur të dielën me kompaninë “Air Berlin”, ditë më parë ka ndodhur edhe me pasagjerët e kompanisë “German Wings”, bën të ditur Remzi Ejupi, drejtor i agjencisë turistike “Eurokoha”, e cila është përfaqësuese e kompanisë gjermane “Air Berlin” në Kosovë.

Ejupi pohon se zyra e koordinatorit të sloteve pranë ANP-së po manipulon me oraret e fluturimeve të aviokompanive dhe si pasojë e kësaj pasagjerët po detyrohen të presin me orë të tëra në terminal.

Sipas tij, Komisioni Evropian(KE) qe dy vjet rresht kërkon nga Zyra e Aviacionit Civil të Kosovës dhe Ministria e Transportit që të mos ketë koordinator të sloteve pranë ANP-së, por të formohet një komitet i sloteve, i cili do të përbëhej nga përfaqësuesit e aviokompanive, mirëpo zyrtarët kosovarë si duket nuk e “çajnë kokën” në lidhje me një kërkesë të tillë të KE-së.

“Komiteti i sloteve do të ishte një organ i pavarur dhe nuk do të varej nga një person, ashtu siç ndodh aktualisht”, potencon Ejupi.

Ai paralajmëron se aviokompanitë gjermane për maltretimet e tilla të pasagjerëve do t’i drejtohen me ankesë edhe Ambasadës Gjermane në Kosovës, Zyrës së Aviacionit Civil, Ministrisë së Transportit dhe institucioneve tjera relevante në vend.

Në anën tjetër, zyrtarët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje. Zëdhënësi i kësaj kompanie publike, Altin Ahmeti, pasi që është konsultuar me drejtorin Agron Mustafa, ka thënë se drejtori nuk dëshiron të përgjigjet në pyetjet e gazetës, por çuditërisht ka rekomanduar që për këtë çështje të kontaktohet drejtori i agjencisë “Eurokoha”, Remzi Ejupi.

Aeroporti ngritet ne kategori, tani aterrimet me vetem 300 metra dukshmeri

Kjo në saje në investimeve të mëdha që janë bërë gjatë gjithë kësaj kohe, të cilat mundësojnë që aeroplanët të aterojnë në mot me mjegull dhe me dukshmëri vetëm 300 metra. Deri tani kufiri limit zyrtar i aterimit për aeroplanët në mot me mjegull ka qenë 700 metra.
 
“Investimet kapitale të përfunduara më parë dhe plotësimi i një varg kushtesh dhe standardesh tjera të sigurisë të kërkuara sipas rregulloreve vendore dhe atyre ndërkombëtare në fushën e aviacionit civil, të cilat u konfirmuan zyrtarisht nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës pas inpektimeve të shumta, na lejon që të kalojmë në një kategori më të lartë të operimeve, nga kategoria I-rë në kategorinë e II-të. Kjo mundëson që gjatë sezonit dimror dhe veçmas në mot me mjegull të jemi më operativ dhe më fleksibël në raport më fluturimet e aeroplanëve. Kjo do të ndihmojë shumë në evitimin e tollovive dhe humbjen e kohës së çmuar për udhëtarët”, tha Drejtori Menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa. Continue reading Aeroporti ngritet ne kategori, tani aterrimet me vetem 300 metra dukshmeri